Pse bëhet ditë, e pse bëhet natë?

Materialet dhe mjetet: llambë dore (apo ndriçimi bëhet me dritën e telefonit), kuti kartoni, balon apo top, gazeta, letra të thjeshta, letra me ngjyra, ngjitës letre etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën duke e pyetur: “Çfarë forme ka topi? Çfarë forme ka dielli? Po toka? Po hëna?” etj.

Pasi fëmija të përgjigjet se dielli ka formë rrethi, bashkë me të vizatoni tokën apo diellin në letër, që ngjyroset dhe prehet nga fëmija. Pyeteni “A mund të rrotullohet dielli në vizatimin e tij/saj?”, “Po si duhet të jetë dielli apo toka që të mund të rrotullohet?” (“Si topi” – mund të përgjigjet fëmija).

Merret një top apo balonë dhe ngjitës letre i lëngët (në mungesë të ngjitësit, ai përgatitet me miell dhe ujë). Gazeta apo letra të thjeshta ndahen në shirita që zhyten në ngjitësin e përgatitur dhe vendosen mbi top apo balonë. Një pako kartoni e ushqimeve ndahet në gjysmë (ndarjen apo prerjen e kartonit e bën prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e). Balona apo topi duhet të jetë i madhësisë mesatare, aq sa mund të rrijë në hapësirë të mjaftueshme në mes të pakos. Gjysma e pakos ngjyroset apo mbulohet me letër të zezë, e pjesa tjetër me letër të bardhë. Nga pjesa e ditës vizatohet dielli dhe në mes hapet një vrimë për të vendosur llambën e dorës. Toka e punuar kapet me ngjitës për pako apo mund të kapet me spango dhe mbahet me dorë. Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e mban spangon e tokës dhe fëmija e ndriçon tokën me llambë. Pyetet fëmija “Në cilën anë të tokës është ditë? E në cilën anë është natë? Atëherë, kur bëhet ditë e kur bëhet natë?”

Në mungesë të këtyre materialeve, aktiviteti mund të punohet edhe me materiale të tjera që janë në shtëpi.

 

 

 

 

 

Shkarkoni fletën e punës KËTU.