Libri im i parë

Materialet e nevojshme: Ju nevojiten fleta me ngjyra, sa ngjyra ka edhe molla (gjelbër, kuqe, verdhë etj.), ngjitës i përgatitur në kushte shtëpie (ujë me miell ose ujë me sheqer), shishe plastike e gjelbër.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktiviteti i sotëm do të fokusohet në krijimin e një libri personal për fëmijën, në formën e mollës. Fillimisht ftojeni fëmijën të palosë në dysh një fletë me ngjyrën e preferuar nga ato që keni. Pastaj ftojeni fëmijën të vizatojë formën e gjysmës së mollës në anën e bashkuar të fletës. Fëmija mban me kujdes fletën të palosur dhe e pret me gërshërë.

Pasi të këtë mbaruar të gjitha ngjyrat e mollës, fillon dhe i ngjit me njëra-tjetrën në mënyrë që të krijohet një album. Për ta zbukuruar librin, i vendos edhe gjethe të cilat përgatiten me letra ose me ndonjë material tjetër, p.sh. shishet e plastikës me ngjyrë të gjelbër, të cilat priten në formën e gjethes, dhe ia ngjet librit. Gjethet e plastikës mund të shpohen dhe t’u vendoset një lidhëse, dhe të lidhen me ndonjë objekt që fëmija e përdor çdo ditë apo në ndonjë vend ku e shohin të gjithë.

Në këtë libër, fëmija zgjedh se çfarë dëshiron të bëjë; mund të jetë libër me fotografi, mund të jetë me forma, numra, shkronja apo me rregulla që duhet të ndjekë fëmija gjatë ditës etj. Prindi së bashku me fëmijën vendosin se si do ta titullojnë këtë libër.