Shenjat e komunikacionit

Sot do ta përforcojmë përdorimin e rregullave në komunikacion. Loja “Stop” na kujton kur duhet të ecim, dhe cilat shenja duhet t’i respektojmë. Nëse luani e gjithë familja së bashku, loja bëhet më interesante.

Për këtë lojë ju duhen: disa shenja të komunikacionit, të cilat mund t’i përgatisni edhe vetë bashkë me fëmijët.

– Të gjithë lojtarët ngrihen në këmbë duke e formuar një rreth. Njëri nga të rriturit e udhëheq lojën. Kur thuhet “Ec” lojtarët ecin në drejtime të ndryshme sipas dëshirës, e kur thuhet “Stop” lojtarët  ndalen në vend pa e bërë as edhe lëvizjen më të vogël. Pas disa përsëritjeve, fjalët “Ec” dhe “Stop” marrin kuptime të kundërta, pra kur thuhet “Stop” lojtarët ecin, e kur thuhet “Ec” lojtarët ndalen. Loja vazhdon për aq sa keni dëshirë të luani, për të sjellë argëtim e për të parë  kush po e bën më mirë.

– Pas lojës, së bashku me fëmijët, merrni ose përgatisni shenjat e komunikacionit. Ju duhen aq shenja sa janë në interes të fëmijës, sidomos ato shenja që tregojnë lejim apo ndalim, si dhe shenja me vizat e bardha. Vendosini shenjat nëpër dhomë, duke i kapur me kapëse për tharjen e rrobave.

– Kësaj radhe lojën e udhëheq fëmija. Me shenjën “Ec” filloni të ecni nëpër dhomë derisa ta shikoni shenjën e komunikacionit që thotë ”Stop”. Ju mund të ecni sërish me komandën tjetër nga fëmija.

– Përsëriteni këtë disa herë dhe ndërroni rolet.