Kur të rritem do të bëhem

Sot do të luani dhe do të mësoni për disa profesione. Për këtë lojë ju duhen: vizatime ose fletë pune me profesione të ndryshme, vizatime  të mjeteve që përdoren në profesionet e ndryshme,  një libër që flet për profesionet ose edhe mund të shikoni video në YouTube për profesionet në vegzën në vijim: https://www.youtube.com/watch?v=Oyog_ëQSYDI [ video e krijuar nga Fjalisti Kids] .

– Mund të filloni duke e shikuar videon së bashku.

– Mund të filloni  po ashtu duke e pyetur fëmijën se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet.  Kërkoni që t’ju tregojë çfarë bën në profesionin që ka zgjedhur, si duket veshja  ose uniforma, mund ta pyesni edhe pse e ka zgjedhur atë profesion, çfarë mjetesh i duhen për ta ushtruar atë profesion, etj.

– Më pas ju mund ta lexoni një tregim së bashku ku flitet për profesionet e ndryshme dhe rëndësinë e tyre.

– Ju mund ta luani lojën me role duke i dhënë mundësi fëmijës që ta imitojë profesionin që ka zgjedhur.

– Ju mund ta zgjeroni lojën, duke i prerë fletët me figurat e profesioneve. I përzieni dhe fëmija duhet ta krijojë figurën e plotë dhe ta tregojë profesionin të cilit i përket.

– Po ashtu, vendosni në njërën anë  figurat e profesioneve dhe në anën tjetër mjetet  që përdoren në ato profesione. Kërkoni prej fëmijës që t’i përputhë profesionet me mjetet.