Ushqyeshmëria në Fëmijërinë e Hershme

Ushqyeshmëria gjatë pandemisë COVID- 19

Mirëushqyerja gjatë pandemisë COVID-19 është thelbësore. Ndërkohë që asnjë suplement apo ushqim nuk na mbron nga infektimi me COVID-19, ushqimi i shëndetshëm dhe i ekuilibruar mund të na siguroj një imunitet të fortë dhe përballje më të lehtë me sëmundjen.

Ushqimet që ne konsumojmë ndikojnë në florën tonë bakteriale, e cila është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit imunitar. Pamjaftueshmëria në energji, proteina, dhe disa lëndë ushqyese specifike lidhen me ulje të mbrojtjes së organizmit nga viruse dhe bakterje të rrezikshme.

Marrja e mjaftueshme e Hekurit, Zinkut, dhe vitaminave A,E, B6, dhe B12 është thelbësore për mbarëvajtjen e sistemit imunitar. Prandaj, është shumë e rëndësishme të evitojmë mungesat ushqimore si përpara, ashtu edhe gjatë dhe pas një infektimi viral si COVID-19. Nga ana tjetër, pandemia na ka përballur me ulje të lëvizjes fizike, mbikonsum të ushqimit dhe si rrjedhojë mbipeshë, e cila gjithashtu mund të dëmtoj imunitetin tonë.

Mbështetja e sistemit imunitar të fëmijëve nëpërmjet ushqimit

Sigurohuni që fëmija merr energjinë e nevojshme për moshën dhe aktivitetin e tij fizik, pa e tepruar me kalori të tepërta. Një fëmijë duhet të konsumoj të paktën 300gr fruta dhe 200gr perime çdo ditë. Fëmijët duhet të ushqehen 5-6 herë në ditë, duke mos lejuar të kalojnë 3 orë pa u ushqyer.

Mbipesha dhe nënpesha mund të rrisin rrezikun e përballjes në formë me të rëndë me COVID-19. Siguroni një peshë trupore të shëndetshme për fëmijën në mënyrë të kontrolluar nëpërmjet modifikimit të përshtatshëm të ushqimit dhe aktivitetit fizik.

 

 

Këshilla mbi mbështetjen e sistemit imunitar të fëmijëve nëpërmjet ushqimit

– Zgjedhni fruta dhe perime të pasura në vitaminë C dhe acid Folik si: luleshtrydhet, kivi, mjedrat, boronicat, agrumet, domatet, specat, rukola, brokoli, lakra dhe bishtajat. Vaktet kryesore të jenë të përbëra me bazë drithrat e papërpunuara si gruri, orizi, bullguri, buka e thekrës; perimet me amidon si patatet, bizelet, misri; dhe legume si fasulet dhe thjerrzat. Të plotësohen gjithmonë me perime dhe proteina të shëndetshme si djathi, veza, peshku, mishi i pulës dhe mishi i viçit pa dhjamë. Të gatuhet me pak yndyrë bimore si vaji i ullirit;
– Mishi i pulës, mishi i viçit, peshku dhe prodhimet e detit janë burim shumë i rëndësishëm i hekurit dhe zinkut, dy minerale që luajnë rol shumë të rëndësishem në imunitetin e fëmijëve.

 

Këshilla mbi mbështetjen e sistemit imunitar të fëmijëve nëpërmjet ushqimit

Të konsumohen 3 racione bulmet në ditë. Preferohet bulmet me yndyrë të reduktuar për fëmijët mbi 2 vjeç;
– Ofroni ushqime të pasura në pro – prebiotikë siç janë: kosi, tërshëra, fasulet, mollët, lakra dhe lakra turshi e përgatitur në shtëpi;
– Evitoni ushqimet e gatshme të pasura në yndyrna të fabrikuara dhe sheqer, ofroni fëmijëve ushqime të përgatitura në shtëpi, me yndyrë cilësore si vaj ulliri dhe në sasi jo të tepruara;
– Konsultohuni me mjekun pediatër mbi kontrollin e vitaminës D dhe nevojën e mundshme për të marrë suplement. Vitamina D ndikon në imunitetin e njeriut drejtëpërdrejtë, veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve respiratore me origjine virale;
– Siguroni hidratimin e mjaftueshëm me ujë natyral çdo 2-3 orë, gjithmonë pas ushqimit;
– Preferoni fruta të freskëta në vend të lëngjeve të tyre. Evitoni pijet e gatshme me sheqer.

A mund të infektohemi me COVID-19 nëpërmjet ushqimit?

Deri më tani nuk ka të dhëna që ushqimi përbën mjet transmetimi të COVID-19. Kjo frikë nuk duhet të na pengoj nga konsumi i frutave dhe perimeve. E rëndësishme është që ato të lahen gjithmonë shumë mirë nën ujë të rrjedhshëm të vazhdueshëm.

Gatimi i ushqimit në temperaturat e duhura dhe ruajtja e tij sipas rregullave të sigurisë është gjithmonë e domosdoshme për të mbrojtur fëmijët nga çdo infektim i mundshëm.

A duhet të marrim suplemente ushqimore për të forcuar imunitetin?

Nuk ka ndonjë udhëzim që rekomandon marrjen e suplementeve ushqimore si masë parandaluese për COVID-19. Çdo lëndë ushqyese është e nevojshme për një sistem imunitar të fortë. Nëse fëmija juaj nuk ka mungesa në lëndë ushqyese, asnjë vitaminë, mineral apo kombinim i mundshëm nuk do të ofroj mbrojtje shtesë. Një dietë e ekuilibruar, e mjaftueshme në bulmet dhe proteina shtazore, e pasur ne fruta, perime dhe drithra integrale, yndyrna të shëndetshme dhe legume, është mënyra më e mirë për të garantuar funksionin optimal të mekanizmave imunitare.

Udhëzime mbi ushqimin dhe mbrojtjen nga Covid 19 gjatë shtatzanisë dhe gjidhënies

Gjatë shtatzanisë, sistemi imunitar është më pak i aktivizuar dhe gruaja është me e rrezikuar nga çdo infeksion viral sikurse edhe Covid-19. Është tepër e rëndesishme që gruaja të ushqehet dhe hidratohet mirë gjatë kësaj periudhe. Poashtu e një rëndësie të veçantë është edhe siguria ushqimore, pasi një grua shtatzënë është shumë më e rrezikuar nga helmimet, çka sjell edhe dobësim të ndjeshëm të imunitetit.

Gjatë kësaj periudhe është parësore marrja e:
– 3 racioneve bulmet në ditë, ku qumështi dhe nënproduktet e tij duhet të jenë patjetër të pasterizuara;
– 3-5 racioneve fruta dhe 400gr perimeve pa amidon, të ngjyrave jeshile, portokalli dhe të kuqe, vishnje ose të bardhë;
– 3 racioneve mish të kuq pa yndyrë dhe mish pule në javë – të alternuara me fasule dhe thjerrza;
– drithrave të larmishëm të pasur në fibra si: makaronat integrale, bullguri, kuinoa dhe perimeve me amidon si patatet, bizelet dhe fasulet;
– yndyres cilësore në sasi të vogla si vaji i ullirit;
– 2 deri 2,5 litra ujë në ditë;
– Të evitohen ushqimet e procesuara, ushqimet e pasura në sheqer dhe yndyrna të ngurta, nënproduktet e mishit dhe brumrat me përmbajtje të ulët fibrash;
– Të mos konsumohen ushqime të ndenjura në temperaturë ambienti pasi janë gatuar. Ushqimet të gatuhen në temperaturën e duhur e cila duhet të depërtoj deri në brendësi kur bëhet fjalë për mish, pulë apo peshk;
– Të këshillohen me mjekun gjinekolog për vleresimin e nevojës së marrjes së suplementeve që mund të nevojiten në këtë periudhë.

Gjatë kësaj periudhe, nëna gjidhënëse duhet të ushqehet mirë, shpesh dhe pak, si dhe të hidratohet mirë. Konsumi i ujit nuk duhet të zbresë nën 2 litra në ditë. Në këtë fazë, marrja e mjaftueshme e bulmetit (pa yndyrë), proteinave të shëndetshme si mishi i shpendëve, legumet, peshku, dhe më rrallë mishi i kuq pa dhjamë, frutat e thatë, marrja e frutave – perimeve stinore të freskta, drithrave të plotë dhe yndyrnave cilësore është shumë e rëndësishme.