Shfaqja me fruta
Për këtë aktivitet do t’ju nevojiten disa shkopinj druri të cilët mund t’i merrni në natyrë ose mund të përdorni shkopinj me ngjyra. Ju nevojitet letër e bardhë si dhe lapsa me ngjyra ose ngjyra uji nëse keni në shtëpi. Ashtu siç edhe është demonstruar në fotografi, sot do të krijoni disa figura të frutave, me të cilat do të krijoni një dramë të vogël. Është e preferueshme që këtë aktivitet ta zhvilloni si familje. Secili mund të zgjedhë të luajë një personazh (frutin e vet të preferuar). Pasi përfundon vizatimi, të gjithë e ngjesin vizatimin në shkop. Nëse anëtarët e familjes nuk janë të gatshëm, atëherë fëmija mund të krijojë vetë një dramë të vogël me personazhet e veta të frutave të cilat kinse kanë dalë të luajnë së bashku me fëmijën. Fëmija do të ketë nevojë që gjatë aktivitetit ta ketë mbështetjen e prindit për realizimin e personazheve të tij.
Ky aktivitet ndihmon në pasurimin e fjalorit, në klasifikimin e frutave, si dhe në kreativitetin e fëmijës.
Gjatë kësaj dite ju mund t’ia mësoni një vjershë të shkurtër fëmijës tuaj.