Rrobat tona
Materialet dhe mjetet: një shportë me rroba të ndryshme.
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijëve të vegjël u pëlqen shumë të luajnë me veshje. Zgjedhni disa rroba të veçanta nga gardëroba juaj dhe e anëtarëve të tjerë të familjes. Vendosni ato në një shportë rrobash dhe ofrojani fëmijës që t’i shikojë dhe të luajë me to. Në koleksionin e rrobave përfshini kapela, dorëza, këpucë, bluza me zingjirë dhe pulla, kravatë, bizhuteri, çanta, etj. Lejojeni fëmijën të luajë me veshje sipas dëshirës së tij. Ai/ajo mund t’i veshë ato, të provojë t’i mbërthejë dhe zbërthejë kopsat apo zingjirët, të luajë me role, etj. Një lojë e tillë jo vetëm që do ta mbajë atë të angazhuar, por edhe do ta nxisë imagjinatën e tij/saj, t’i ndihmojë t’i koordinojë lëvizjet e duarve dhe të trupit dhe të zgjerojë fjalorin me ndihmën tuaj.
Meqenëse jemi në prag të festës së pavarësisë, nëse keni ndonjë veshje kombëtare prezantojani ato fëmijës dhe njoftojeni atë me veçantinë e veshjeve kombëtare. Lejojeni të vishet dhe të bëjë lojë imagjinare. Nëse nuk keni veshje kombëtare, ju thjesht mund t’ia tregoni ndonjë fotografi, dhe pastaj të shikoni në rrobat e tij së bashku dhe të gjeni diçka të përafërt me veshjet kombëtare. Lejojeni të bëjë kombinime të veshjeve sipas dëshirës.
Nëse keni mundësi, vizitoni ndonjë vend historik së bashku me fëmijën.