Rrobat e dimrit

Materialet dhe mjetet: Nuk nevojiten materiale të posaçme
Zhvillimi i aktivitetit: Etani dhe Deoni sot kanë për të shkuar në Rugovë së bashku me prindërit. Ata janë shumë të lumtur pasi do të rrëshqasin me ski dhe janë zgjuar shumë herët. Secili ka vrapuar tek dollapi i rrobave për t’i marrë veshjet e dimrit. Etan, duhet të zgjedhësh rroba më të trasha, pasi atje është ftohtë – i thotë mami.  Po unë dua ta vesh këtë bluzën se më pëlqen shumë, s’ka gjë që është e hollë – ia kthen ai.
Mamaja nguli këmbë që Etani të vishte një bluzë të trashë, pasi do të mërdhinte. Etan, nëse mërdhin, çfarë mund të ndodhë? Ai zgurdulloi sytë e bukur dhe tha: më fal mami, unë e di se nëse mërdhij mund të sëmurem. Mami, të lutem më jep edhe shallin e trashë që të mos mërdhij. Të dy qeshën dhe përqafuan njëri-tjetrin. Etani i veshi rrobat e trasha dhe vrapoi tek babai që t’i tregonte se ishte gati. Babi, shiko si jam veshur gati si dordoleci. Babai e përqafoi dhe i tha që dukej shumë bukur dhe se do të kënaqeshin së bashku. Ndërkohë Deoni ishte bërë gati dhe po merrte patikat e kuqe. Babai iu drejtua:
Deon, nëse vesh patika këmbët mund të lagen. – Mirë babi, po vesh çizmet, po marr dhe dorezat se harrova – ia kthen ai.
Deoni dhe Etani vrapuan tek makina dhe shumë të lumtur filluan këngën “bie bora fjolla-fjolla”.

Diskutoni me fëmijët se cilat janë veshjet e dimrit.