Murali i kujtimit

Duke qenë se jemi në një kohë të izolimit, do të ndihmonte shumë që fëmijët ta lënë një kujtim në ndonjë mjedis të shtëpisë që të mund ta kujtojnë këtë kohë. Murali mund të bëhet në ndonjë mur të shtëpisë që nuk është shumë i ekspozuar dhe që nuk e prishë harmoninë e shtëpisë.

Mund të jetë një mjedis në oborr, apo për ata që jetojnë në banesa mund të jetë ballkoni, ku në njërën anë të tij mund të bëhet një mural me historinë e jetës së fëmijës.

Për këtë aktivitet mund të përdoren materiale të cilat ju mendoni se mund ta bëjnë muralin interesant. Mund të përdoret oriz, shkopinj, kapakë, makarona,fasule, etj. 

Për mural mund të përdorni edhe foto apo vizatime në të cilat fëmija e përshkruan rritjen e tij/saj, ose mund ta zbukuroni me aktivitete të cilat fëmija i ka bërë gjatë këtyre dy muajve izolimi në shtëpi.

Fëmija mund ta punojë edhe ndonjë pemë me kapakë të shisheve, një flutur, një zog apo çfarëdo që atij/asaj i pëlqen ta punojë. Mund ta punojë edhe formën e këmbës  ose të dorës së tij/saj, apo edhe shkronjën e parë të emrit të tij/saj.

Së bashku me fëmijën mund ta bëni një balonë në të cilën do t’i vendosni momentet më të rëndësishme gjatë rritjes së tij/saj. Nuk është me rëndësi që balona të jetë perfekte, mjafton të jetë një kujtim mbi hapat më të rëndësishëm në jetën e fëmijës.