Fotografia ime në 4 stinët

Materialet dhe mjetet: foto të fëmijëve, ngjitës, karton për kornizë, oriz, fasule.

Zhvillimi i aktivitetit: Së bashku me fëmijën i përzgjidhni katër fotografi ku ai/ajo shfaqet gjatë katër stinëve të vitit.

Ky është një aktivitet ku fëmija tregon për katër stinët e vitit duke komentuar foton e bërë si p.sh.: “Këtu jam kur ishim në natyrë, kur gjethet patën rënë”, “Këtu jam me maicë, kur ishte shumë vapë”, “Këtu jam kur kishte rënë borë”, “Këtu jam kur lulet patën filluar të çelin dhe bari ishte rritur”.

Fillimisht, lejoni fëmijën të tregojë ndonjë tregim apo ngjarje për fotot me qëllim që fëmija t’i dallojë edhe stinët e vitit. Përfshijeni fëmijën në tregim duke e pyetur më shumë rreth fotografive.

Fotografitë e bëra i radhisni sipas stinëve të vitit. Formoni një kornizë duke e punuar me oriz ose fasule, sipas imagjinatës, kreativitetit apo dëshirës së fëmijës (nëse nuk keni foto fizike, bëni edhe në telefonin tuaj një kolazh të fotove nëpër stinët e vitit, duke i treguar fëmijës që stina e fundit e vitit është gjithmonë dimri dhe viti i ri fillon me dimër).

Fëmija mund ta vendosë kornizën në dhomën e vet apo edhe në kuzhinë. Lejojeni ta zgjedhë vetë.