Bletët gjatë dimrit
Materialet dhe mjetet: Për këtë do t’ju nevojiten disa fletë të bardha, një fletë me ngjyrë të zezë dhe një me ngjyrë të verdhë, ngjitës, gota plastike apo letre.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot në kosheren e bletëve ka lindur një bletë shumë e vogël , e cila dallohet nga bletët e tjera pasi e ka një sy të kaltër e një sy të zi. Ajo i shikon bletët tek po luajnë dhe u afrohet atyre. Njëra nga bletët i afrohet dhe i thotë që të largohet, se ajo nuk dëshironte të luante me të, pasi ajo nuk ishte si ato, ishte ndryshe nga bletët e tjera, dhe i tha se ishte e shëmtuar. Bleta e vogël uli kokën dhe u nis që të largohej. Ajo u mërzit shumë dhe lotët i mbushën sytë e saj që kishin ngjyra të ndryshme. Por menjëherë njëra nga bletët iu afrua dhe e kapi për dore duke i thënë: “Mos u largo se ne mund të luajmë bashkë!”. Bleta e vogël u gëzua shumë që shoqja e saj po luante me të. Por aty u afrua edhe bleta që e përzuri. Ajo i kërkoj falje dhe iu bashkua lojës së bashku me bletët e tjera.
Sot do të punoni bletën së bashku me fëmijën. Ashtu si kafshët apo shpendët, edhe bleta gjatë dimrit nuk del nga kosheret. Shumë fëmijë e adhurojnë mjaltin, por ka dhe nga ata që nuk e pëlqejnë. Sot do të keni mundësi së bashku me fëmijën të përgatitni një bletë sipas formës së preferuar të fëmijës dhe njëkohësisht të flisni për vlerat e mjaltit. Bletët janë shumë punëtore, të organizuara dhe për këtë arrijnë të krijojnë një ushqim aq të shijshëm e të shëndetshëm. Diskutoni me fëmijën rutinën e tij/saj. Shtroni pyetje nëse ai/ajo do të jetë i/e organizuar dhe i/e përkushtuar porsi bletët. Përdorni planifikimin e sotëm për të ndërtuar tek fëmija aftësinë për të planifikuar. Mundeni gabimisht të vendosni njërin sy në vendin jo të duhur, dhe kur fëmija nuk pajtohet, pyeteni pse nuk pajtohet. Kështu ai/ajo mëson që çdo gjë e ka vendin e vet dhe se duhet të planifikojmë gjërat përreth.