Çfarë i duhet bimës

Materialet dhe mjetet: Fletë me ngjyra, ngjitës, gërshërë.

Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të flisni me fëmijën lidhur me atë se çfarë i duhet një bime për t’u rritur. Në foton e bashkëngjitur keni një punim të cilin mund ta përdorni si model për të ilustruar se çfarë i duhet një bime për t’u rritur. Fillimisht krijoni një lule, të cilën mund ta përgatisni me letra me ngjyra, mund ta vizatojë fëmija dhe ju e ndihmoni vetëm aty ku ai/ajo ka nevojë, e më pas ta ngjyrosë si të dëshirojë. Pasi të ketë ngjitur lulen, duhet të pyesni fëmijën se çfarë di lidhur me atë që i nevojitet një luleje për t’u rritur. Ju mund të përdorni figurë për ta nxitur të menduarit e fëmijës. Pasi t’i keni vendosur të gjitha pjesët e nevojshme në kolazh, e pyesni fëmijën se çfarë mban mend nga ato që ka mësuar sot. Për këtë punim mund të përdorni edhe materiale të tjera si pambuk, shishe plastike apo çfarëdo materiali që fëmija mendon se do ta bënte edhe më atraktive për të.