Me këmbë në ujë
Materialet e nevojshme: karrige, kovë, ujë,
Zhvillimi i aktivitetit: Sot, prindi së bashku me fëmijën do të ulen përballë njëri-tjetrit në karrige, dhe duke mbajtur këmbët në një kovë me ujë do të tregojnë një tregim për një vizitë që mund të kenë bërë në det, liqe apo lum.
Nëse fëmija nuk ka ndonjë kujtim të tillë, atëherë mund të krijojë një udhëtim imagjinar në një nga këto vende. Prindi në këtë aktivitet do të shërbejë si rrëfyes i ngjarjes, ndërkohë që fëmija do ta ndjekë vazhdimin e saj.
I pari fillon prindi:
Na ishte një ditë e bukur vjeshte dhe unë së bashku me (vendos emrin e fëmijës) shkuam në … këtu vazhdon fëmija (në mënyrë që vendin ta zgjedhë fëmija). Prindi vazhdon fjalinë për të ndihmuar vazhdimësinë. Prindi duhet të bëjë kujdes që t’i japë hapësirë fëmijës që të krijojë tregimin e tij/saj.
Një mënyrë tjetër mund të jetë duke u vendosur në të njëjtën situatë vetëm se prindi mund të zgjedhë katër deri në gjashtë fotografi me figura të ndryshme (liqeni, këpucët, kova, sanduiçi etj.), të cilat i fsheh pas shpine. I tregon fillimisht figurën e parë dhe fëmija e fillon një tregim, pastaj të dytën e kështu me radhë, në mënyrë që fëmija të kompletojë një tregim me te gjitha fotografitë. Në momentet kur fëmija ka nevojë për pak ndihmë, prindi e ndihmon me ndonjë shprehje apo fjalë që fëmija mund të mos e njohë.
Ky aktivitet i jep mundësi prindit dhe fëmijës të kenë një moment mjaft argëtues së bashku.