Gjidhënia

Lindja dhe Gjidhënia

Përvoja juaj e lindjes mund të ndikoj në fillimin e ushqyerjes me gji të foshnjës dhe procesi është më i lehtë kur lindja ndodhë në një mjedis mbështetës. Kur jeni të përfshirë në mënyrë aktive gjatë lindjes dhe keni një person mbështetës e të besueshëm afër jush, ju do të jeni në gjendje të shmangni procedurat që mund të rrezikojnë fillimin e ushqyerjes me gji. Kur të dy prindërit janë aktiv dhe të përfshirë gjatë lindjes ndikon poashtu se sa të sigurtë do të ndjehen në aftësitë e tyre si prindër. Ky besim mund të ju ndihmoj të vazhdoni dhe të kapërceni sfidat gjatë muajve të parë të prindërimit.

Krijoni planin e lindjes suaj së bashku me mjekun tuaj dhe nëse nuk shkon ashtu siç e keni planifikuar, informohuni se si mund të ushqeni fëmijën tuaj me qumësht gjiri menjëherë pas lindjes.

Ju mund të ushqeni fëmijën me gji menjëherë pas lindjes edhe nëse:
– Keni induktuar lindjen;
– Keni marrë epidural;
– Keni pasur lindje me rrezik të madh;
– Keni pasur lindje të parakohshme;
– Keni lindur me operacion cezarian.

Si funksionon prodhimi i qumështit të gjirit?

Shtatëzania, lindja dhe gjidhënia janë procese të pandashme. Pasi këto tre faza janë të lidhura, a thua qumështi i gjirit fillon të prodhohet gjatë shtatëzanisë për të vazhduar gjatë lindjes dhe për t’u maturuar kur beba do të jetë tre – katërditëshe?

PO, qumështi i gjirit fillon të krijohet në gjysmën e dytë të shtatëzanisë dhe kjo fazë quhet laktogjeneza I, pastaj 30 deri në 40 orë pas lindjes së bebes do të fillojë prodhimi i qumështit si faza II e laktogjenezës. Është qenësore që të gjithë të porsalindurit të ushqehen me qumësht gjiri në orën e parë pas lindjes në mënyrë që të përfitojnë nga përbërësit imunologjik që ofron kulloshtra. Kur nëna vazhdon ta ushqej me gji fëmijën, atëherë fillon faza III e laktogjenezës, ku sasia e qumështit që prodhon një nënë varet nga ligji i kërkesës dhe ofertës. Pra, sa më shumë që beba kërkon të pijë dhe futet shpeshë në gji, aq më shumë qumësht nëna do të prodhoj.

 

Korniza kohore e ushqyerjes me qumësht gjiri

Të gjtha bebet kanë ritëm të ndryshëm të rritjes dhe lindin me temperamente dhe personalitete të ndryshme. Disa kanë më shumë durim të pijnë gji kur në dhomë ka zhurma të bisedave ndërsa disa të tjerë janë kureshtar dhe largojnë kokën nga gjiri posa të dëgjojnë zilen e shtëpisë! Mirëpo, në faza të caktuara të rritjes së fëmijëve me qumësht gjiri sipas vëzhgimeve dhe studimeve ekzistojnë disa shprehi të njejta te shumica e fëmijëve.

Në ditët e para shumica e bebeve qetësohen nëse mbahen në kontakt lëkurë më lëkurë me nënën. Ato duhet të pijnë së paku 8 deri në 12 herë gjatë 24 orëve, por shumica prej tyre dëshirojnë të pijnë edhe më shpesh se kaq. Dhe kjo është krejt në rregull dhe normale, nuk do të thotë se nëna nuk është duke prodhuar qumësht mjaftueshëm.

Zakonisht, në javën e dytë dhe të gjashtë ndodhë rritja e hovshme, fazë kjo kur beba dëshiron të pijë shumë shpesh dhe në fund të thithjes mund të duket e pakënaqur. Nëse në fund të thithjes beba bëhet paksa tekanjoze, fillon të qajë, futeni përsëri në gji, a ka më lehtë se kaq për ta qetësuar!

Kur beba do t’i mbush 4 muaj do të fillojë ta zbrazë gjirin më shpejtë, disa bebe madje do të qëndrojnë në gji vetëm 3 – 4 minuta. Ndërsa në mes të muajit 4 dhe 9 beba provon edhe ushqimet e ngurta dhe me 9 muaj ajo mund të ushqehet vetëm 4 – 5 herë në ditë me gji, përveç rasteve kur janë duke i dalë dhëmbët apo po kalon një infeksion.

Nga 9 deri në 18 muaj fëmiu juaj do të jetë shumë i shpejtë dhe efikas në ushqyerjen me gji dhe do të jetë në gjendje të pijë nga pothuajse çdo kënd.

E pas 2 viteve, ju ia keni dalur të përmbushni rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjidhënie dyvjeçare dhe keni kaluar një kohë të mrekullueshme të lidhjes emocionale me fëmijën tuaj.

Gjidhënia mbron fëmijët nga infeksionet virusale dhe bakteriale!

Sa e sa herë kemi dëgjuar se fëmijët që ushqehen me gji janë më të mbrojtur nga viruset dhe bakteriet. Por, edhe fëmijët që pijnë gji mund të sëmuren në fazën e gripave sezonal dhe të ftohen. Atëherë si mbrohen ata nga qumështi i gjirit?

Qumështi i gjrit përmban shumë qeliza imunitare dhe faktorë anti-bakterial të cilët forcojnë sistemin imunitar të fëmijës. Sistemi imunitar i një fëmije nuk maturon plotësisht deri në moshën 5 apo 6 vjeçare, prandaj qumështi i gjirit kontribuon në forcimin e sistemit imunitar të fëmijës. Qumështi i gjirit i mbron fëmijët nga infeksionet virusale dhe bakteriale deri sa ato të mund të mbrohen vet.

 

 

Ndërprerja e gjidhënies

Nëse vendosni ta largoni fëmijën nga gjiri, atëherë është mirë që ta bëni atë gradualisht dhe me dashuri. Nëse e largoni fëmijën përnjëherë dhe jo gradualisht nga gjiri, ka mundësi që gjinjtë tuaj të fryhen nga qumështi, të keni dhimbje dhe të krijohet infeksion i gjirit. Në anën tjetër edhe fëmija do të vuaj nga largimi i papritur dhe i menjëhershëm.

Çdo fëmijë do të largohet vet nga gjiri në një kohë apo në një tjetër. Kjo me të vërtetë mund të ndodhë një periudhë e gjatë mes 2 dhe 7 viteve, por biologjikisht kjo është periudha kohore kur një fëmijë mund ta lërë vet gjiun. Në qoftë se keni ushqyer fëmijën me qumësht gjiri deri në 2 vite dhe nuk doni që të prisni deri sa fëmija të bindet ta lërë vet, atëherë zgjidhni metoda të buta me fjalë qetësuese për t’ia shpjeguar fëmijës këtë proces të rritjes së tij dhe pavarësimit.

Nuk preferohet që ndarja nga gjiri të bëhet me metoda të ashpëra apo mashtruese pasi kjo mund të ndikojë emocionalisht tek fëmija juaj. Ju mund të filloni ta pakësoni ushqyerjen me gji duke e zëvendësuar me vakte të tjera dhe gradualisht mund të pakësoni vaktet e pirjes gjatë ditës fillimisht pastaj edhe gjatë natës.

Mitet, paragjykimet dhe kriticizmi për gjidhënien

Mitet, paragjykimet dhe kriticizmi ndaj gjidhënies janë ndër pengesat më të mëdha për gjidhënie të suksesshme. Në kultura dhe mentalitete të ndryshme nënat përballen me mite dhe paragjykime të ndryshme. Nëse procesi i gjidhënies bazohet në informacione të sakta, të cilat duhet të jepen nga mjeku familjar, neonatologu, pediatri apo gjinekologu keni më pak gjasa që të bini pre e miteve e të ndaloni gjidhënien për shkak të informatave jo të duhura.

Mitet dhe paragjykimet të cilat kryesisht hasen në shoqërinë tonë kosovare dhe të cilat mund të kenë efekt negativ tek nënat e reja lidhen kryesisht me prodhimin e mjaftueshëm të qumështit të gjirit dhe kualitetin e tij.

Për të arritur një proces të suksesshëm të gjidhënies, mitet dhe paragjykimet duhet të luftohen me fakte dhe informacione të sakta që ofrohen vetëm nga profesionistët.

 

Gjidhënia dhe COVID-19

Deri më tani nuk është zbuluar se virusi COVID-19 mund të transmetohet përmes qumështit të gjirit. Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF dhe La Leche League International, rekomandojnë ushqyerjen e menjëhershme me gji edhe kur nëna ka rezultuar pozitive në testin për COVID-19. Është qenësore që të gjithë të porsalindurit të ushqehen me qumësht gjiri në orën e parë pas lindjes në mënyrë që te përfitojnë nga përbërësit imunologjik që ofron kulloshtra. Mirëpo, a mund ta prekë dhe ta mbajë në dorë fëmijën tim të porsalindur nëse kam COVID-19?

Po. Kontakti i afërt dhe ushqyerja e hershme me gji, ndihmon një foshnje të zhvillohet. Ju duhet të keni mbështetje nga stafi i spitalit dhe familjarët për të:

  • Ushqyer me gji fëmijën në mënyrë të sigurtë duke ruajtur higjienën;
  • Mbajtur fëmijën në gjoksin tuaj për të bërë kontakt lëkurë me lëkurë për sa më shumë kohë që mundeni, dhe
  • Të qëndroni në një dhomë me fëmijën tuaj.

Mos harroni të pastroni duart para dhe pasi të keni prekur foshnjën tuaj, të mbani maskë që mbulon gojën dhe hundën tuaj dhe të mbani të pastërta të gjitha sipërfaqet në dhomën dhe shtëpinë tuaj. Për të gjitha këto kërkoni ndihmën e anëtarëve të familjes.

Nëse një fëmijë i cili ushqehet me gji, infektohet nga Covid-19, është shumë e rëndësishme vazhdimi i gjidhënies. Gjithashtu, kur ndonjë anëtarë i familjes është i infektuar me Covid-19, atëherë edhe foshnja veçse ka qenë e ekspozuar në atë ambient dhe çdo ndërprerje e ushqyerjes me gji, në të vërtetë mund të rrisë rrezikun e foshnjës për t’u sëmurë.