Kasollja
Materialet dhe mjetet: çarçafë, jastëkë, libra me fotografi.
Zhvillimi i aktivitetit: Gjeni një vend të përshtatshëm në shtëpinë tuaj dhe krijoni një kënd leximi duke përdorur disa materiale që i keni në shtëpi. Merrni dy çarçafë dhe i varni në një kënd të shtëpisë. Vendosni disa jastëkë që fëmija të ulet së bashku me gjyshen apo gjyshin. Mund të improvizoni një kasolle duke mbledhur disa shkopinj në ambientin e jashtëm dhe me ndihmën e gjyshit apo gjyshes e ndërtoni një kasolle brenda shtëpisë. Zgjidhni disa libra që keni në shtëpi me fotografi për fëmijë dhe së bashku me gjyshërit shfrytëzoni kasollen për të krijuar një histori nga gjyshërit për fëmijën. Fëmijëve të kësaj moshe u pëlqen të dëgjojnë histori të vërteta nga fëmijëria e gjyshërve. Koha që kalohet me gjyshërit është shumë e vlefshme sepse ata kanë përvoja të shumta për të ndarë me nipërit dhe mbesat e tyre. Ky është vendi sekret i fëmijës suaj me gjyshërit e vet dhe nuk mund të hyjë askush tjetër aty.