Ekspozita “Toka jonë”
Materialet dhe mjetet: Ky aktivitet nuk kërkon mjete specifike.
Zhvillimi i aktivitetit: Ky aktivitet i kushtohet tokës, vendit ku ne jetojmë. Sot do të dalim në mjedisin që na rrethon dhe do të mbledhim sa më shumë materiale të ndryshme që gjenden në tokë, dhe së bashku me to do të krijojmë një ekspozitë të vogël. Materialet mundësisht të jenë të formave dhe përbërjeve të ndryshme. Ekspozitën mund ta vendosni në një kënd të shtëpisë, ose në një vend që mendoni se fëmija mund të ketë mundësi t’ua shpjegojë të gjithë anëtarëve të familjes gjetjet e tij/saj. Inkurajoi fëmijën duke i bërë pyetje të ndryshme se për çfarë nevojiten gjësendet e mbledhura dhe mos harroni ta inkurajoni fëmijën të flasë se si ta ruajmë mjedisin që na rrethon. Gjithashtu i bëni pyetje fëmijës për karakteristikat e materialeve që ka mbledhur, si p.sh. ngjyra, përbërja, forma etj.
Për t’i përforcuar njohuritë e fëmijës për tokën, ju mund t’ia ofroni edhe një glob, nëse e keni në shtëpi, e nëse jo, atëherë mund ta shfrytëzoni një tullumbace për ta krijuar imazhin e tokës, ashtu siç dëshiron fëmija.