Rruga e pranverës

Materialet dhe mjetet: një karton 50 x 50 cm,  letër e bardhë, laps dhe gërshërë. Mund të përdoren revista të vjetra ku fëmija gjen shkronjat dhe i pret.

Zhvillimi i aktivitetit: Për aktivitetin e sotëm do t’ju duhet që së bashku me fëmijën të shkruani në karton fjalën “PRANVERA”.  Shkronjat duhet të jenë të mëdha dhe fëmija duhet t’i ngjyrosë me ngjyrat e tij të preferuara. Nëse është e mundur, këto shkronja mund t’i gjeni edhe në ndonjë revistë të vjetër. Me ndihmën tuaj, fëmija identifikon shkronjat dhe i pret me gërshërë. Mos u merakosni që ato të jenë të prera perfekt. Pastaj fëmija i ngjit në karton. Secilën shkronjë, fëmija duhet ta identifikojë me zë të lartë, dhe pastaj të gjejë një kafshë apo send që ka atë shkronjë. Prindërit nuk duhet të merakosen nëse fëmija nuk ia qëllon drejt shkronjën. Kjo lojë duhet të bëhet sipas radhës, një herë fëmija dhe një herë prindi. Fokusi i bisedës të jetë rreth pranverës, duke ilustruar veshjet në pranverë, llojet e kafshëve, bimëve etj.

Ky aktivitet mund të zhvillohet edhe me përgatitjen e një brumi të zakonshëm dhe me të të krijohen shkronjat e fjalës “PRANVERA”. Në këtë mënyrë, në shtëpi mund të kemi një bukë të shijshme në formën e shkronjave.