Rruga magjike
Materialet dhe mjetet: për këtë aktivitet mund të përdorni çfarëdo mjeti që keni në shtëpi.
Zhvillimi i aktivitetit: Për zhvillimin e këtij aktiviteti mund të përdorni një tregim për fëmijë që ta dramatizoni në shtëpi. Për këtë arsye, mjedisi i shtëpisë duhet rregulluar si një dhomë magjike në të cilën fëmija duhet të zhvillojë lojën e tij/saj. Fëmija mund të luajë rolin e kësulëkuqes, apo të një djali të vogël që do t’i dërgojë petullat e nxehta gjyshes që jeton në një pyll. Për ta bërë edhe më të kënaqshëm këtë aktivitet ju mund të përgatitni një shportë me petulla, të cilat fëmijët i duan shumë. Inkurajoni fëmijën që të përdorë sa më shumë fjalë magjike. Ju si prind i shkruani disa fjalë që pritet që fëmija t’i përdorë në jetën e përditshme.
Fjalët e mëposhtme i shkruani në copa letrash dhe i fshihni në vende të ndryshme, e fëmija duhet t’i gjejë. Ai/ajo nuk mund t’ia dorëzojë petullat gjyshes pa gjetur të gjitha fjalët magjike. (Më fal! Të lutem! Faleminderit! Ditën e mirë! Mirëdita!). Ndihmojeni fëmijën duke e demonstruar edhe ju si prind kur i përdorni këto fjalë.