Vizatojmë emocionet

Sot do të bëhet pak rrëmujë, prandaj kini kujdes dhe merrni masat e duhura. Ju duhet një tepsi me pak miell ose oriz. Po ashtu ju duhet edhe një plastelinë prej brumi, disa pulla të mëdha, kapakë të shisheve, disa pika ngjyrash uji ose markerë dhe fije me ngjyra të ndryshme.

– Vendosni në tepsi miellin ose orizin dhe kërkoni nga fëmija që të vizatojë se si ndihet në atë moment – kërkojini që ta vizatojë fytyrën e vet.

– Rikujtoni disa situata në të cilat emocionet e fëmijëve kanë qenë të ndryshme, dhe për secilin rast fëmija le ta vizatojë  atë emocion me gishta, për shembull: kur është rrëzuar dhe është lënduar pak, kur ka parë një film që i ka pëlqyer ose kur është  frikësuar nga një ëndërr që ka parë, etj.

– Më pas, bashkë me fëmijën bëni plastelinën prej brumi, tashmë e keni receptin se si ta bëni. Në një pjesë të vogël të brumit hidhini pikat e bojës me ngjyra të ndryshme.

– Së bashku me fëmijët, me plastelinën e krijuar krijoni figurat me emocione të ndryshme dhe vendosni në vend të syve pullat, formën e gojës bëjeni me plastelinë të kuqe, flokët me fije me ngjyra, etj. Provoni që së bashku t’i krijoni të paktën 4-5 emocionet bazë.