Gjurma ime

Materialet dhe mjetet: bojra të ndryshme dhe letër ose gazetë ose edhe një çarçaf të vjetër, fije peri me ngjyra, etj.

Organizimi i aktivitetit: Sot gjithçka që ju nevojitet është një vend i qetë për të pikturuar me fëmijën tuaj. Lejojeni fëmijën të zbrazë bojrat në disa pjata apo tasa dhe më pas ai/ajo e vendos dorën  në letrën e bardhë, në gazetë apo në një çarçaf të vjetër. Lejoni që të vendosin dorën në cilëndo pjesë të fletës, gazetës, çarçafit, etj… duke e lejuar kështu të shprehë kreativitetin e tij/saj.  Gjatë kësaj kohe, pyeteni se çfarë po bënë dhe cilën ngjyrë po e përdor. Lejojeni të luajë kështu për 20-30 minuta e më pas së bashku pastrojeni vendin. Punimin e bërë vendoseni në një vend të dukshëm të shtëpisë/banesës.

Për fëmijë më të vegjël, ju mund të vizatoni dorën e fëmijës në një letër dhe më pas letrën ngjiteni tek dera e frigoriferit apo në mur. Ju po ashtu mund t’i ngjisni edhe disa fije me ngjyra në mur dhe të kërkoni që ata t’i heqin prej aty e ti vendosin sërish.

Sugjerim:

Siguroni fletë pune me figura të ndryshme dhe nxiteni fëmijën tuaj të luajë me ngjyrat. Të paktën një herë në javë, lejojeni të krijojë diçka të re nga imagjinata dhe kreativiteti i tij/saj.