Në këndin e leximit

Këndin e leximit në shtëpi kthejeni në vendin e preferuar të fëmijës suaj.

Vendosni disa libra me ngjyra dhe me figura, ose disa revista dhe fletë pune.

– Zhvillojeni këtë aktivitet së bashku me fëmijët e tjerë në familje.

– Uluni dhe lejojeni fëmijën ta zgjedhë një libër me përralla, me figura dhe ngjyra. Nxiteni fëmijën që ta shfletojë librin apo revistën.

– Mund t’i kërkoni që t’ju tregojë çfarë po shikon në libër apo revistë. Ndihmojeni herë pas here që të ‘fluturojë’ me imagjinatën e tij/saj.

– Ndërroni rolet. Tani është radha juaj që t’ua lexoni një përrallë apo tregim. Aktroni gjatë leximit të përrallës dhe përfshijeni edhe fëmijën në këtë aktrim. Ju i thoni fjalët qartë dhe saktë dhe i kërkoni edhe fëmijës që të flasë saktë dhe qartë.

– Mund ta vazhdoni lojën duke krijuar një tregim për një ngjarje gjatë së cilës jeni kënaqur, për shembull: gjatë pushimeve, kur vizitoni gjyshen, kur shëtiteni në park, etj.

– Mund ta përfundoni aktivitetin duke i dhënë fëmijës një fletë në të cilën është shkruar shkronja e parë e emrit të tij/saj dhe fëmija me gishtin me ngjyrë bën pika mbi formën e shkronjës.